11 Vjet nga Pranimi Historik i Kosovës në CIO — Momenti që Ndryshoi Përgjithmonë Sportin Kosovar

Sot shënohen 11 vite nga një prej momenteve më të rëndësishme në historinë sportive dhe shtetërore të Kosovës: pranimi zyrtar i vendit tonë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Një akt që i hapi dyert sportistëve kosovarë drejt garave më prestigjioze botërore dhe që shënoi afirmimin e plotë të Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare.

Në këtë ditë, më 2014, në Monako, ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, mori zyrtarisht vendimin e pranimit nga Presidenti i CIO-së, Thomas Bach—një moment i vetëm në jetë, i cili vulosi dekada përpjekjesh e sakrificash për njohjen ndërkombëtare të sportit tonë.

Hasani e ka cilësuar shpesh këtë ditë si “kulmin e punës kolektive të komunitetit sportiv, por edhe një nderim për gjakun e heronjve që mundësuan lirinë e Kosovës”. Pranimi në CIO jo vetëm që e vendosi sportin kosovar përkrah shteteve të tjera të botës, por edhe i dha vendit tonë mundësinë të prezantohej me dinjitet olimpik.

Që nga ajo ditë, Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme, duke u kurorëzuar edhe me medalje olimpike, një arritje që e ngjiti flamurin tonë në majën më të lartë të sportit botëror.

Familja Olimpike dhe komuniteti sportiv kosovar sot kujtojnë me krenari këtë kapitull historik, që u shndërrua në gur-themel të rrugës së vendit drejt sukseseve globale. Sportistët tanë vazhdojnë të jenë ambasadorët më të denjë të Kosovës, duke e përfaqësuar me krenari kombin në çdo garë dhe podium ndërkombëtar.