Kolonel Afrim Veseli kërkon shkarkimin e drejtorit të shkollës “Xhevdet Doda” nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama

Ish-ushtaraku dhe koloneli Afrim Veseli ka reaguar pas debatit të krijuar rreth rastit të shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Në një postim të tij, Veseli i është drejtuar kryetarit Rama duke theksuar se ai është kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe se rasti në fjalë ka shkaktuar me të drejtë shumë pakënaqësi.

“Kryetar i Prishtinës zot. Rama, jeni kryetari i gjithë qytetarëve të Prishtinës. Rasti i Shkollës Xhevdet Doda ka ngjallë shumë pakënaqësi dhe debate. Me arsye. Shkarko dhe largoje nga procesi mësimor drejtorin e asaj shkolle, dhe mbylli debatet. Le të shihet se në komunën tonë nuk do të ketë vend në institucione njerëz që lejojnë narrativ kundër lirisë dhe luftës sonë,” ka shkruar Veseli.

Ai ka shtuar se baza juridike për veprim është e mjaftueshme, duke kërkuar që drejtori i Arsimit në komunë të shtojë kontrollin mbi drejtorët e shkollave dhe stafin arsimor.

Ky reagim vjen pas polemikave që kanë shpërthyer ditëve të fundit lidhur me zhvillimet në shkollën “Xhevdet Doda”, të cilat kanë ngjallur debat publik për qëndrimet dhe përgjegjësitë brenda institucioneve arsimore të kryeqytetit.