Ramiz Lladrovci në Izrael, pjesë e seancës solemne të pritjes së kryeministrit Rama në Knesset

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, po qëndron në Izrael ku po zhvillon takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe shtetërore, duke promovuar mundësitë që ofron Drenasi për investitorët e huaj.

Lladrovci njoftoi se takimet i ka nisur me zotin Haim Bibas, kryetar i Bashkisë Modi’in-Maccabim-Re’ut dhe njëherësh Kryetar i Federatës së Autoriteteve Lokale të Izraelit, që përfaqëson mbi 265 autoritete lokale në tërë vendin.

Në këtë takim, Lladrovci theksoi potencialet e Drenasit për investime në fusha si bujqësia, energjia e ripërtëritshme, teknologjia informative, start-up-et, planifikimi hapësinor dhe mbrojtja e ambientit. Ai u shpreh i gatshëm për të ndërtuar bashkëpunime të ndërsjella me interes të përbashkët mes komunës së Drenasit dhe institucioneve izraelite.

Pas takimit, kryetari Lladrovci mori pjesë edhe në seancën solemne të Knesset-it (Parlamentit të Izraelit), e cila iu kushtua pritjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë ceremoni u rikonfirmua miqësia e fortë mes popullit shqiptar dhe atij izraelit, një lidhje që, siç tha Lladrovci, “buron nga solidariteti historik dhe besa shqiptare, që mbeten ura të forta bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen.”

Në fjalimin e tij në Knesset, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit dhe islamofobisë, duke nënvizuar se “urrejtja dhe diskriminimi nuk duhet të udhëheqin marrëdhëniet mes popujve.”

Vizita e Ramiz Lladrovcit në Izrael pritet të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi, veçanërisht në fushat e zhvillimit lokal, inovacionit dhe energjisë së pastër, që janë prioritet i Komunës së Drenasit.

Postimi i plotë nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci:

Takimet zyrtare i fillova me z. Haim Bibas, Kryetar i Bashkisë së Modi’in-Maccabim-Re’ut, njëherësh Kryetar i Federatës së Autoriteteve Lokale në Izrael që përfaqëson 265 autoritete në tërë vendin, ku theksova mundësitë që i ofron Komuna e Drenasit për investitorët, arritjet dhe sfidat e pushtetit lokal.

Në takim shpreha gatishmërinë për të ndërtuar bashkëpunim me interes të përbashkët, në fushat si pushtetit lokal, bujqësia, kompanitë start-up, teknologjia informative, energjia e ripërtëritshme, planifikimi hapësinor dhe ambienti, etj.

Pas këtij takimi, mora pjesë në seancën solemne të Knesset-it (Parlamentit), kushtuar kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama. Miqësia e dëshmuar e Izraelit në ditët më të rënda për Kosovën, nuk janë për tu harruar. Në Knesset u rikonfirmua miqësia dhe nderimi për shqiptarët, për historinë tonë dhe për besën nga tre krerët më të lartë të Izraelit.

“Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, theksoi Edi Rama mes tjerash në fjalimin e tij që u përshëndet me duartrokitje.

Të mirat dhe solidariteti i ndërsjellë gjatë historisë, janë ura të forta me interes të përbashkët për sot e për nesër!