The Economist: Përgjigja për Ukrainën mund të jetë Kosova

Pas gati një viti përpjekjesh kaotike për armëpushim në Ukrainë, administrata Trump mbetet thellësisht e përfshirë në negociatat për ndalimin e luftës në Ukrainë. Pika më e vështirë, si gjithmonë, janë koncesionet territoriale, ato që presidenti amerikan i quan thjesht “shkëmbime territoriale”.
Deri tani, diplomatët nuk kanë gjetur një formulë që ta zgjidhë këtë nyje pa e këputur litarin, shkruan autori Paul Hockenos në “The Economist”
Diferenca mes planit fillestar pro-rus me 28 pika, që doli në nëntor 2025, dhe kundërpropozimit të rishikuar ukrainaso-amerikano-evropian tregon sa larg janë ende palët. Plani i parë kërkon njohje ndërkombëtare të gjithë territorit aktualisht nën kontroll rus, përfshirë tërë rajonet e Luhanskut dhe Donetskut. Praktikisht, një ultimatum dorëzimi për Ukrainën dhe një pauzë taktike që do t’i lejonte Rusisë të rifillonte luftën nga një pozicion më i favorshëm.
Kundërpropozimi me 20 pika parashikon ndalimin e luftimeve përgjatë vijave aktuale të frontit, pa njohur ligjërisht asnjë nga fitimet territoriale ruse, as në Donbas e as në Krime. Ukraina pranon zona të çmilitarizuara dhe një zonë ekonomike të lirë në pjesën e Donetskut që kontrollon, por kërkon që territore ekuivalente nën pushtim rus të përfshihen në të njëjtin regjim.
Pikërisht në këtë boshllëk hyn një ide e pazakontë. Edward P. Joseph, analist amerikan dhe ish-negociator në Ballkan, propozon përdorimin e modelit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në qershor 1999 për Kosovën. Rezoluta afirmonte sovranitetin formal të Jugosllavisë, por parashikonte “autonomi substanciale dhe vetëqeverisje domethënëse” për Kosovën, duke e vendosur atë nën administrim të përkohshëm të OKB-së dhe nën një forcë ndërkombëtare sigurie.
Gati 27 vjet më vonë, Kosova qeveriset nga institucione të zgjedhura vendore. Joseph argumenton se pikërisht shtyrja e çështjes së sovranitetit ka garantuar paqen relative që nga viti 1999. Kosovarët qeverisin veten si shtet i pavarur, ndërsa Serbia dhe Rusia vazhdojnë të mos e njohin Kosovën duke u thirrur në Rezolutën 1244. Rusia, si anëtare e përhershme e KS të OKB-së, insiston që kjo rezolutë të respektohet “deri në presje”.
E aplikuar në Ukrainë, kjo formulë do të nënkuptonte vendosjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të OKB-së ose OSBE-së në pjesët e Donetskut perëndimor që nuk janë nën pushtim rus. Trupat ruse do të qëndronin aty ku janë. Çështja e sovranitetit do të shtyhej për më vonë, derisa referendume në Ukrainën lindore dhe Krime të vendosin përfundimisht.
Për Kievin, kjo do të ishte një pilulë e hidhur. Ukraina do të humbiste edhe sovranitetin simbolik mbi Donbasin. Por, nga ana tjetër, presidenti Volodymyr Zelensky do të mund të ndalte një luftë shkatërrimtare, sidomos nëse mbështetja amerikane do të dobësohej. Argumenti politik do të ishte se as Donbasi dhe as kufijtë e Ukrainës të vitit 1991 nuk do të bëheshin automatikisht rusë, ndërsa “referendumet farsë” të viteve 2014 dhe 2022 do të shpalleshin të pavlefshme.
Në favor të Ukrainës, prania e forcave ndërkombëtare do të shërbente si një garanci sigurie dhe do të krijonte një zonë tampon me Rusinë. Rreth 200 mijë civilë në qytete si Kostiantynivka, Slovyansk dhe Kramatorsk do të mund të qëndronin ose të ktheheshin në kushte më të sigurta.
Për Rusinë, propozimi është më i vështirë për t’u shitur, por jo pa përfitime. Lufta do të ndalej, Ukraina do të zhdukej ushtarakisht dhe simbolikisht nga territoret që Moska lakmon, dhe Putini do të fitonte një rrugëdalje “me fytyrë” nga një konflikt i kushtueshëm. Nëse paketa do të përfshinte edhe lehtësim sanksionesh, argumenton Joseph, Rusia mund të angazhohej, sidomos pasi e njeh mirë mekanikën e 1244-ës.
Megjithatë, skeptikët në Ukrainë janë të shumtë. Shkrimtarja Oksana Zabuzhko e quajti planin “të padenjë për diskutim serioz”. Analisti Volodymyr Horbach thekson se “precedenti i Kosovës nuk e zgjidh agresionin rus”, pasi atje kishte konflikt etnik, jo pushtim dhe aneksim të jashtëm.
Edhe studiues të tjerë paralajmërojnë se referendumet janë pikë e dobët. “Një pyetje e shtyrë është ende një pyetje,” thotë politologu Peter Harris, dhe Ukraina nuk dëshiron të pranojë se sovraniteti i saj është i diskutueshëm. Për më tepër, zhvendosjet masive të popullsisë dhe kolonizimi rus e bëjnë çdo plebishit të dyshimtë.
Në fund, çdo vëzhgues realist pranon se një marrëveshje e tillë do t’i jepte Rusisë një farë legjitimiteti, duke cenuar të drejtën ndërkombëtare. Por, për Ukrainën, mbijetesa varet ende nga mbështetja amerikane. Ndoshta, basti më i mirë është të provohet një marrëveshje e tillë dhe, nëse dështon nga ana ruse, të ekspozohet përfundimisht se kjo luftë nuk ka të bëjë me kufij, por me shuarjen e vetë Ukrainës si shtet. Një siguri e hidhur, por ndoshta e domosdoshme.










