Zyrtarët e Speciales iu ligjëruan nxënësve të Kosovës se si UÇK-ja dyshohet se ka kryer krime, vrasje e tortura

Zëri që e dëgjuat është i Ana Profozic, zyrtare e Dhomave të Specializuara të Kosovës apo Gjykatës Speciale, siç njihet.

Ajo këtu po iu shpjegon nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” se si krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po edhe vetë UÇK-ja në përgjithësi, sipas aktakuzës së ngritur, paska kryer krime kundër njerëzimit.

Vox Kosova ka siguruar ekskluzivisht audio-incizimin brenda klasave shkollore, në një të ashtuquajtur ligjëratë, e cila më vonë u kuptua se u bë pa kurrfarë leje e në rrethana shumë të çuditshme.

Tek përmbajtja e ashtu quajtur procedurale, qëndron tronditja e vërtetë.

Për një orë të tërë, zyrtarët e Speciales, në një ligjëratë të quajtur informative, shfaqin influencë që ngjan me propagandë.

Ata nuk hezitojnë të shpjegojnë e përfolin aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Kur e dëgjon të krijohet përshtypja se aparati pushtues dhe kriminal në Kosovë në vitet 98-99 ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës e jo Serbia.

“Sipas aktakuzës së konfirmuar, krime lufte si ndalimi arbitrar, trajtimi çnjerëzor, tortura, vrasja, si dhe forma të ndryshme të krimeve kundër njerëzimit, dyshohet se janë kryer të paktën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Këto krime dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër serbëve, kundër popullatave të tjera, pakicave të tjera, por gjithashtu në masë të madhe edhe kundër shqiptarëve ë perceptoheshin si bashkëpunëtorë, rezervistë, e kështu me radhë”.

Në incizimin rreth një orë që e posedon Vox Kosova, kjo zyrtare dhe kolegu i saj Paul Landers, në asnjë moment nuk paraqesin versionet e palës mbrojtëse për të balancuar rrëfimin”.

Pra asgjë nga dëshmitarët apo avokatët e ish krerëve të UÇK-së.

Aq më pak të kujtohen të paraqesin qartë e thellësisht tek nxënësit atë që drejtësia garanton, pafajësi për të akuzuarit, deri në provimin e të kundërtës.

Pra pa dhënë perspektivë neutrale, aq më pak qëndrimet e të gjitha palëve, zyrtarja Profozic vijon me këmbëngulje me aktakuzën e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për “administrim të drejtësisë”.

“Tani do të kaloj te rasti tjetër që përfshin Hashim Thaçin, të cilin e përmenda shkurtimisht më herët. Pra, bëhet fjalë për rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë, siç e thashë. Sipas aktakuzës së konfirmuar, Hashim Thaçi po i shqyrtonte vizitorët e tij. Ai u jepte atyre detaje të ndjeshme dhe të mbrojtura lidhur me dëshmitarët që pritej të dëshmonin në rastin e mëparshëm për krime lufte. Ai i udhëzonte vizitorët e tij që të ktheheshin në Kosovë për t’iu afruar atyre dëshmitarëve dhe për t’u thënë atyre se si të dëshmonin ose që të refuzonin të dëshmonin, e kështu me radhë, me qëllim që të ndikohej te dëshmitarët”.

Nxënësit e Gjimnazit Xhevdet Doda atë ditë nuk dolën nga klasat të informuar, por të ekspozuar ndaj rrezatimit të një narrative të njëanshme e me e rënda, të pavërtetë.

Një ligjëratë që nuk kërkonte të shpjegonte drejtësinë, por të riparonte imazhin e Gjykatës Speciale.

Heshtja e institucioneve vendore? Po aq alarmante.

Kur narrativat e padrejta u imponohen brezave të rinj nën petkun e edukimit a “informimit”, nuk vihet në rrezik vetëm drejtësia, por edhe vetë historia.