Alireza Arafi emërohet udhëheqës i përkohshëm i Iranit pas vrasjes së Ayatollah Ali Khameneit

Mediet ndërkombëtare raportojnë për një zhvillim historik në Teheran, pasi udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është vrarë gjatë një sulmi të koordinuar ajror të forcave amerikane dhe izraelite.

Lajmi është konfirmuar nga mediat shtetërore iraniane dhe i cituar nga agjencia NDTV, ndërsa reagimet ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme.

Pas njoftimit për vdekjen e Khameneit, autoritetet iraniane kanë njoftuar krijimin e një Këshilli të Përkohshëm të Udhëheqjes, që do të drejtojë vendin deri në përzgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem. Në këtë këshill janë përfshirë Presidenti Masoud Pezeshkian, Kryetari i Gjykatës së Lartë Gholam-Hossein Mohseni Ejei dhe kleriku i njohur Ayatollah Alireza Arafi, i cili konsiderohet si figura më e afërt për të marrë drejtimin e përkohshëm të vendit.

Arafi, aktualisht anëtar i Këshillit të Gardës, është një nga figurat më me ndikim në hierarkinë fetare të Iranit. Ai ka udhëhequr për vite me radhë Qendrën Botërore të Studimeve Islamike në Qom dhe gëzon mbështetje të gjerë në qarqet konservatore.

Ndërkohë, në të gjithë Iranin janë raportuar masa të shtuara sigurie, ndërsa vendet fqinje dhe fuqitë botërore po ndjekin nga afër situatën. Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për operacionin që çoi në vdekjen e Khameneit, megjithëse burime anonime brenda Pentagonit kanë konfirmuar “veprime të synuara ushtarake ndaj objektivave iraniane”.

Analistët ndërkombëtarë e cilësojnë këtë zhvillim si një nga momentet më të rëndësishme në politikën e Lindjes së Mesme gjatë dekadës së fundit, që pritet të ketë pasoja të gjera për ekuilibrat rajonalë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Iranit.