Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, një prej zërave më aktivë të strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas dhe diasporë, Xheladin Shala, ka reaguar me një mesazh të fortë drejtuar anëtarëve dhe strukturave lokale të PDK-së.
Në një postim të gjatë në rrjete sociale, Shala ka theksuar se Drenasi nuk ka luksin të zhytet në apati, në një kohë kur, sipas tij, “dita e verdiktit të qytetarëve po afrohet me shpejtësi”.
“Një heshtje që s’i ka hije askujt – as Partisë, as strukturave, e aq më pak atyre që historikisht kanë ditë me mbajt gjallë energjinë politike në këtë qytet,” shkruan Shala, duke ngritur shqetësimin për mungesën e mobilizimit në terren.
Sipas tij, heshtja aktuale nuk është as normale e as rastësi, por sinjal i dobësimit të angazhimit që dikur e karakterizonte këtë komunë.
Ai ka kujtuar se Drenasi gjithmonë ka ditur të prijë proceseve politike dhe të mbajë gjallë frymën e fitores për PDK-në, ndërsa tani kërkon bashkim, energji dhe zë të përbashkët.
“Fitorja kërkon zë, kërkon energji, kërkon mobilizim dhe kërkon bashkim. Drenasi e ka pasur gjithmonë këtë ADN, por dikush sot po harron me e aktivizu,” thekson Shala.
Në vazhdim, ai ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm brenda strukturave të partisë në Drenas, duke paralajmëruar se fitorja nuk mund të arrihet me grupe të vogla e me ego personale.
“Mjaft heshtje, mjaft blof, mjaft pritje. Drenasi meriton përfaqësim të denjë, njerëz që e çojnë përpara, jo që e lënë në mjegull,” shton Shala.
Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë aktivistëve e drejtuesve të degës që të reflektojnë si detyrim ndaj liderëve të luftës e paqes, dhe ndaj qytetarëve që presin veprim, jo heshtje.
“Drenasi e ka energjinë – veç duhet me ia hapë kapakun,” përfundon Shala mesazhin e tij, duke nënvizuar besnikërinë e tij të përhershme ndaj PDK-së me fjalët:
“Përjetësisht PDK.”








