Ish-ushtaraku, Kolonel Afrim Veseli apel qytetarëve: “Të votojmë për veten tonë, për shtetin e Adem Jasharit”

Ish-ushtaraku i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), koloneli në pension, Afrim Veseli, ka bërë një thirrje të fuqishme qytetare për pjesëmarrje në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e votës si akt përgjegjësie ndaj vetes dhe shtetit.
Në një postim në rrjete sociale, ish-ushtaraku, Afrim Veseli ka kërkuar që qytetarët të mos qëndrojnë indiferentë ndaj fatit të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se shteti nuk guxon të mbetet pa institucione funksionale, transmeton Teleshkronja Post.
“Duhet të dalim të votojmë, duhet të votojmë për veten, e vetja jonë është shteti ynë”, shkruan ai.
Veseli ka nënvizuar se nuk do të mbështesë politikanë grindavecë që dëmtojnë shtetin për interesa personale, duke kërkuar një qeverisje që garanton jetë të sigurtë dhe mirëqenie sociale. Ai përmendi me emër disa personalitete të fushave të ndryshme që, sipas tij, përfaqësojnë vlera dhe profesionalizëm në institucione – si Bedri Hamza, Lumnir Suma, Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Rrahman Rama, Xhavit Haliti, Besim Hasani dhe Krenar Xhaferi.
Në fund të mesazhit të tij, Veseli përmbylli me një thirrje simbolike që rezonon fort në ndjenjën patriotike të qytetarëve:
“Po, të votojmë për veten tonë, për shtetin e Adem Jasharit. Zoti, shteti ynë dhe Amerika.”
Ky apel vjen në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të brendshme politike dhe ekonomike, ndërsa nevoja për pjesëmarrje qytetare dhe stabilitet institucional është më e madhe se kurrë./TeleshkronjaPost/










