Dyshime për shkelje gjatë procesit të votimit në Fushë Kosovë, PDK ngre alarmin

TeleshkronjaPost ka siguruar një komunikim të brendshëm mes vëzhguesve zgjedhorë, ku raportohet për ankesa të votuesve lidhur me parregullsi të mundshme në disa qendra votimi në komunën e Fushë Kosovës.
Sipas mesazhit, disa qytetarë kanë raportuar se në kabinat e votimit janë gjetur fletore të hapura me lista të një subjekti politik, konkretisht të Lëvizjes Vetëvendosje.
TeleshkronjaPost nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur nëse këto raste janë verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por mbetet në kontakt me burime nga qendrat e votimit për zhvillimet e mëtejshme.

Në komunikim, përfaqësues të një shtabi të Partisë Demokratike të Kosovës u kanë kërkuar komisionerëve dhe vëzhguesve që të tregojnë kujdes maksimal, të ndërhyjnë menjëherë për të mbyllur këto fletore dhe të veprojnë në përputhje me ligjin zgjedhor.
Raste të ngjashme janë raportuar në disa shkolla të Fushë Kosovës, ndërsa situata po monitorohet nga afër nga përfaqësues të partive dhe vëzhguesit në terren.










