Konfirmohet: Këta janë 6 deputetët e rinjë nga AAK-ja

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk pritet të ketë drama apo surpriza të mëdha në fundin e numërimit për deputetët që do të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Rezultatet preliminare tregojnë qartë renditjen e kandidatëve më të votuar brenda kësaj partie, duke reflektuar një situatë të qetë dhe të parashikueshme në kampin e AAK-së.
Sipas të dhënave të deritanishme, me numrin më të lartë të votave në AAK udhëheq lideri i partisë, Ramush Haradinaj, i cili pritet të konfirmojë mandatin e tij të radhës në Kuvend. Pas tij, vjen vëllai i tij, Daut Haradinaj, që ruan një mbështetje të fortë në zonën e Dukagjinit.
Në listën e fituesve për ulëse parlamentare përfshihen gjithashtu Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadriaj dhe Albana Bytyqi – të gjithë me rezultat të qëndrueshëm dhe votë të mjaftueshme për të kaluar pragun e brendshëm të partisë.
Ndërkohë, një garë e ngushtë ishte zhvilluar mes ish-komandantit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Agim Çeku, dhe deputetit aktual Bekë Berisha. Megjithatë, sipas rezultateve momentale, Berisha ka arritur të ruajë një epërsi prej mbi 1 mijë votash, duke e lënë Çekun jashtë listës së fituesve.
Në këtë mënyrë, AAK duket se do të dërgojë në Kuvend një përbërje të konsoliduar dhe të njohur të figurave politike, pa ndonjë tronditje të brendshme apo kontest për renditjen e kandidatëve. Kjo e bën këtë parti ndër më të qëndrueshmet në aspektin e rezultateve individuale të kandidatëve në këto zgjedhje.










