Mblodhi mbi 16 mijë vota, mesazhi i Genc Prelvukaj për fituesin e zgjedhjeve

Artisti dhe aktivisti politik, Genc Prelvukaj, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të dhjetorit, duke konfirmuar se megjithëse ka arritur të rrisë numrin e votave në mbi 16 mijë, as këtë herë nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në një reagim të gjatë publik, Prelvukaj ka shprehur falënderim të thellë për të gjithë mbështetësit që i kanë qëndruar pranë gjatë fushatës, duke theksuar se ndihet i nderuar dhe mirënjohës për besimin e dhënë.
“Jam i nderuar dhe shumë mirënjohës në raport me mbështetjen tuaj! Deputetëve të zgjedhur ju uroj punë të mbarë duke besuar se do të angazhohen maksimalisht për shtetin, shoqërinë dhe bashkësinë tonë politike,” – ka shkruar Prelvukaj.
Ai ka theksuar se rezultati i elektoratit të PDK-së duhet lexuar në mënyrë racionale, duke nënvizuar se qytetarët kanë vendosur t’i japin mundësinë përfaqësuesve aktualë të partisë për të forcuar opozitën dhe për ta rritur partinë.
“Ne të tjerët duhet ta lexojmë këtë zhvillim racionalisht dhe të presim,” – shton ai.
Pavarësisht mungesës së një mandati, Genc Prelvukaj ka theksuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, siç ka qenë për mbi dy dekada, duke i shërbyer partisë dhe vendit “pa kërkuar asgjë në këmbim”.
Në fund, ai ka uruar edhe partinë fituese të zgjedhjeve, duke bërë thirrje për bashkëpunim politik, qasje racionale dhe fokus në sfidat ekonomike të vendit.
“Dashuria dhe interesi për Kosovën duhet të zotërojë mbi inatet dhe dallimet partiake,” – përfundon reagimin e tij Genc Prelvukaj.
Postimi i plotë:
Zonja dhe Zotërinj
Në procesin elektoral të dhjetorit, ndonëse kam arritur të shtoj numrin e votave (16 000) sërish duket se nuk kam arritur të rreshtohem në ekipin fitues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të zë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Me këtë rast shpreh falenderim të veçantë për të gjithë ata që më vlerësuan dhe ishin përkrah meje në këtë rrugëtim. Jam i nderuar dhe shumë mirënjohës në raport me mbështetjën tuaj!
Deputetëve të zgjdhur ju uroj punë të mbarë duke besuar se do të angzhohen maksimalisht për shtetin, shoqërinë dhe bashkësinë tonë politike.
Meqenëse elektorati i PDK-së ka vendosur dhe ka qenë i bindur se opozitën mund ta bëjë dhe mund të rrisë partinë, përmes deputetëve që tanimë e kanë fituar mandatin,ne të tjerët duket ta lexojmë këtë zhvillim racionalisht dhe të presim.
Ndërkohë unë vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, siç kam qenë përmbi dy decenie, duke provuar ti jap çdo gjë që, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Partisë fituese i uroj punë të mbarë dhe qasje më racionale ndaj politikës vendore, aleatëve të jashtëm, si dhe konkurentëve politikë, e veçanërisht në përballimin e sfidave ekonomike.
Sepse dashuria dhe interesi për Kosovën duhet të zotërojë mbi inatet dhe dallimet partiake.
Ju falemnderit!










