A po angazhohet Arianit Koci në të vërtetë në interesin publik, apo po e luan mirë influencerin?

Argjent Bytyqi | Avokati Arianit Koci para dy-tri ditësh, përmes një statusi në Facebook bëri thirrje për protestë gjithëpopullore rreth paralajmërimeve për rritje të çmimit të rrymës.

Statusi i tij gjeti mbështetje të madhe e shumë reagime, mirëpo pas disa orëve, Koci u distancua nga thirrja e tij si “organizator”, me pretekstin se statusi i tij profesional nuk e lejon një gjë të tillë.

Mirë, e kemi kuptuar që Koci e bën mirë punën e tij si avokat, por provokimin e besimit qytetar po e bën hala më mirë, e sidomos në çështje shumë të ndjeshme siç është çmimi i rrymës.

Para zgjedhjeve nacionale të dhjetorit, Koci kërkoi nga qytetarët 10 mijë pëlqime duke thënë me siguri se do t’i futet politikës. 10 mijë like i mori. Besoj e dini çka ndodhi më pas — Koci u tërhoq.

Nisma të tilla, ku bëhen thirrje e pastaj tërhiqen, nuk i kontribuojnë aspak angazhimit qytetar, por e thellojnë mosbesimin dhe dëshpërimin e njerëzve, gjë për të cilën zoti Koci na mban ligjërata vazhdimisht.
Shumë i nderuar zoti Koci, kauza për rrymën nuk është as e avokatëve, as e partive, është e qytetarëve.

E qytetari nuk ka luksin të mendojë për “konflikt interesi”.
Për të, çdo muaj është konflikt mbijetese.

Kur ai paguan më shumë nga xhepi i tij, nuk e mbron as ligji, as profesioni, as ndonjë status politikisht korrekt.

Video: