Artan Behrami godet klasën politike: “Koha demonizimit ndaj Hashim Thaçit ka mbaruar”

Zyrtari i PDK-së, analisti politik dhe deputeti, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj shumë figurave politike në Kosovë, duke i akuzuar se karrierën e tyre e kanë ndërtuar mbi demonizimin e Hashim Thaçit.
Në një postim të publikuar në rrjete sociale, Behrami ka thënë se “shumica kanë hyrë në politikë dhe kanë marrë poste publike duke u munduar të demonizojnë Hashim Thaçin, e jo duke ofruar vizion dhe zgjidhje për vendin”.
Ai ka theksuar se “ajo kohë ka kaluar” dhe se më nuk ka poste publike që mund të fitohen përmes urrejtjes, intrigave e thikave pas shpine. Behrami e ka përmbyllur mesazhin e tij me një fjali të fortë që po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale:
“Hashim Thaçi, në këto pesë vjet, më shumë ka frymëzuar shqiptarët nga 12m² të qelisë së tij, sesa ju me 11 mijë km² të Kosovës së lirë – për të cilën nuk keni asnjë meritë.”
Ky reagim i Behramit vjen menjëherë pasi deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar publikisht se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është dashur ta votojë Hashim Thaçin për president në vitin 2016. Deklarata e Mustafës ka ringjallur debatin e vjetër rreth marrëdhënieve ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në periudhën pasluftës, si dhe për rolin e Thaçit në proceset shtetformuese të Kosovës.
Behrami, me reagimin e tij, duket se ka dashur të godasë pikërisht këtë mentalitet politik, ku sipas tij, “urrejtja ndaj Thaçit është shndërruar në kapital politik për shumë figura të sotme”. Ai ka kërkuar që politika kosovare të largohet nga fryma e përçarjes dhe të kthehet tek vizioni për zhvillimin e vendit.
Reagimi i tij është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka ngjallur shumë komente, sidomos nga përkrahësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe simpatizantët e Thaçit, të cilët e kanë cilësuar si “një të vërtetë që pak guxojnë ta thonë publikisht”.
Ky debat ndodh në një moment kur Hashim Thaçi gjendet ende në Hagë, ku procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Sipas njoftimeve nga mediat ndërkombëtare, në muajin shkurt pritet të mbahen fjalimet përmbyllëse të palëve, duke i hapur rrugë vendimit përfundimtar të Dhomave të Specializuara.
Gjatë muajve të fundit, mbrojtja e Thaçit ka paraqitur dëshmi të rëndësishme, përfshirë ato të gjeneralit amerikan Wesley Clark dhe zyrtarëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë folur në mbështetje të rolit të Thaçit gjatë luftës dhe pas saj.
Analistët vlerësojnë se ky proces nuk është vetëm një betejë ligjore, por edhe një përballje e narrativave politike mbi historinë e Kosovës. Në këtë kontekst, reagimi i Behramit shihet si pjesë e një valë më të gjerë reagimesh që synojnë ta rikthejnë figurën e Hashim Thaçit në qendër të vlerësimit politik e kombëtar.
TeleshkronjaPost do të vazhdojë të sjellë reagimet, analizat dhe zhvillimet më të fundit nga Haga, si dhe të gjitha jehonat që procesi dhe emri i Hashim Thaçit po shkaktojnë në politikën kosovare.










