Kryetari dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza i ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Tha se i gjeti “me shëndet dhe plot entuziazëm” dhe se u premtoi se “do t’i gëzojmë më 28 dhjetor”.
“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Hamza tha se procesi gjyqësor po shkon drejt fundit, që ai tha se pret që “të jetë i drejtë”.
“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare”.
“Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi”, shkroi ai.








