Befasi: Mësohet roli i Arjan Konomit në Big Brother Vip Albania

Tashmë nuk ka më vend për dyshime. Është zbuluar zyrtarisht ekipi që do të drejtojë “Big Brother Fan Club” për këtë edicion të pestë, dhe surpriza është e madhe.

Përmes një video promoje interesante që simulon një bisedë në grup në WhatsApp, Top Channel ka konfirmuar zërat që qarkullonin prej ditësh: Kiara Tito do të jetë moderatorja e re e programit, ndërsa krah saj rikthehet një nga emrat më të peshë të opinionbërjes në Shqipëri, Arjan Konomi.

Lajmi i vërtetë që ka entuziazmuar rrjetin është pikërisht rikthimi i Konomit në Top Channel pas rreth tre vitesh mungesë. Ish-opinionisti i “Big Brother” dhe “Për’puthen” rikthehet në ekranin ku la gjurmë, por këtë herë më i fuqishëm se kurrë.

Largimi i tij nga Top Channel vite më parë bëri bujë. Vetëm së fundmi, në podcastin e Arbana Osmanit, Arjani theu heshtjen duke zbuluar prapaskenat e atij largimi të papritur. Ai tregoi se gjithçka nisi nga një postim i tij në Instagram, ku kritikonte nivelin e opinionistëve të “BBV” të asaj kohe, duke i cilësuar debatet si të nivelit të ulët.

“Më kërkuan ta fshija postimin. Unë refuzova. U thashë që mendimin tim nuk e heq,” – rrëfeu Konomi te Arbana, duke treguar se largimi erdhi si pasojë e mbrojtjes së lirisë së tij të fjalës dhe integritetit profesional.

Me rikthimin e tij, formati pritet të fitojë një peshë tjetër. Arjan Konomi njihet si një ndër zërat më autoritarë, i cili nuk bën kompromise me lojtarët dhe ka një aftësi të rrallë për të zbërthyer psiko-analizën e banorëve, shpesh duke shkuar edhe kundër rrymës.

Në promon e publikuar, Kiara shkruan: “Hey grupi! Jam e lumtur që do të jem prezantuesja e këtij edicioni”, ndërsa Arjani ia kthen shkurt dhe saktë: “Suksese! Nisim një ditë pas natës së parë të BBV, apo jo?”.