Berat Buzhala me mesazh për Hashim Thaçin: “Djalo, koha me ardhë në shpi”

Në rrjetin social Facebook, opinionisti i njohur Berat Buzhala ka publikuar një status të shkurtër, por me domethënie të thellë politike dhe emocionale: “Djalo, koha me ardhë në shpi.”

Statusi i Buzhalës, megjithëse i përbërë vetëm nga disa fjalë, ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale. Qytetarë, përkrahës të Thaçit dhe figura të ndryshme publike e kanë komentuar thirrjen e tij për kthimin e liderit historik të UÇK-së në atdhe.

Në komente, shumë qytetarë kanë shprehur mallin dhe pritjen për rikthimin e Hashim Thaçit në Kosovë, duke e quajtur atë “njeriun që e solli lirinë”. Postimi i Buzhalës është shpërndarë dhjetëra herë dhe ka marrë mijëra pëlqime brenda pak orësh.

Berat Buzhala, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë ndaj çështjeve të ndryshme, rrallëherë bën postime të tilla . Pikërisht për këtë, shumë analistë e kanë lexuar statusin si një sinjal politik në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së po i afrohet fundit.

Në opinionin publik po rritet ndjeshëm pritja për një zhvillim të ri në Hagë, ndërsa mbështetësit e Thaçit po organizojnë vazhdimisht fushata për drejtësi dhe lirimin e tij. Në këtë atmosferë, fjalia e Buzhalës tingëllon si një shpresë e artikuluar në mënyrë simbolike: se koha e padrejtësisë po i afrohet fundit.

“Djalo, koha me ardhë në shpi” – një frazë e thjeshtë që për shumëkënd përmbledh ndjenjën e një populli që pret kthimin e njeriut që udhëhoqi rezistencën çlirimtare dhe udhëzoi shtetformimin.

Në komentet nën postim, qytetarët shkruajnë: “U kthefsh shpejt President”, “Kosova të pret”, “Drejtësia vonon, por nuk harron,” por edhe të tjera komente kritikues ndaj Berat Buzhales.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Thaçit kanë paralajmëruar se faza përfundimtare e gjykimit do të jetë vendimtare për të ardhmen e procesit. Burime të afërta me mbrojtjen kanë deklaruar se provat kundër Thaçit janë të dobëta dhe se vendimi përfundimtar mund të sjellë një kthesë të madhe.

Në këtë klimë pritjeje, statusi i Berat Buzhalës ka shërbyer si një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme: se përtej politikës dhe gjykimeve, ekziston një ndjenjë njerëzore dhe kombëtare që e lidh Hashim Thaçin me popullin e tij./TeleshkronjaPost/