Besim Hasani: “Lufta jonë e pastër nuk mund të njolloset nga askush”

Ish-Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka reaguar përmes një deklarate publike në lidhje me protestën e mbajtur sot në Shkup kundër padrejtësive që po përjeton Kosova dhe liderët e saj të luftës në Hagë.

Në një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve, Hasani ka shprehur mbështetjen e plotë për protestën, ndonëse ka sqaruar se për shkaqe subjektive nuk ka qenë prezent fizikisht.

Ai thekson se lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe nuk mund të njolloset nga askush.

“Kur, së bashku me miq vizitova çlirimtarët që mbahen padrejtësisht në Hagë, kuptova se me sjelljen, qëndrimin dhe unitetin e tyre, ata përcillnin heshturazi thirrjen që populli të qëndrojë i bashkuar, të shikojë përpara dhe të jetojë i lirë, i pavarur e në prosperitet,” – ka shkruar Hasani.

Ai kujtoi vizitën e tij në vitin 2022 në Hagë, ku bashkë me delegacionin sportiv kishte evokuar momentet historike të bashkëpunimit që çuan drejt njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, si dhe sukseset e mëdha të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare, kulmuar me medaljen e artë olimpike në “Rio 2016”.

Në fund të reagimit të tij, Hasani përsëriti qartë:

“Një popull që lufton për liri, nuk mund të gjykohet — as ushtria e tij çlirimtare, e as etërit e luftës për liri. Luftuam për vite me mjete politike dhe, kur u detyruam, luftuam për jetë a vdekje. UÇK ishte shpresa jonë, shpresa për jetë dhe liri.”

Ky reagim i Besim Hasanit vjen në një moment simbolik, kur shumë qytetarë shqiptarë në Shkup dhe më gjerë janë ngritur në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.