Partia Guxo prezanton dy prurje të reja për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Viktor Buzhala dhe Blerim Gashi i bashkohen listës së koalicionit me Vetëvendosjen
Partia Guxo ka zyrtarizuar dy emra të rinj që i bashkohen listës së saj në koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, Alternativën dhe PShDK-në për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – Viktor Buzhala dhe Blerim Gashi.
Viktor Buzhala, ekonomist i diplomuar, gazetar dhe analist politik, është një nga zërat më të artikuluar të mendimit kritik dhe analizës ekonomike në Kosovë. Ai njihet për qëndrimet e tij parimore, argumentimin racional dhe guximin për të thënë të vërtetën pa ekuivoke. Me përvojë shumëvjeçare në media dhe analiza publike, Buzhala ka kontribuar në formësimin e debatit kombëtar mbi ekonominë, politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Ndërkaq, Blerim Gashi, jurist dhe politolog, njihet për qasjen e tij profesionale dhe të paanshme në përballje me propagandën dhe dezinformimin publik. Ai ka punuar gjatë në hartimin e politikave publike dhe në fushën e komunikimit strategjik, duke u afirmuar si një zë i besueshëm në hapësirën publike kosovare. Gashi është vlerësuar për angazhimin e tij për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare, duke promovuar një kulturë demokratike dhe një shtet që u shërben qytetarëve.
Me përfshirjen e tyre në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, kjo forcë politike synon të forcojë ekipin me profesionistë të guximshëm, me integritet dhe dije, për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Në njoftimin e Partisë Guxo thuhet se:
“Me Viktor Buzhalën në listën e koalicionit tonë, së bashku me profesionistë të tjerë të guximshëm dhe luftëtarë të pakompromis për të vërtetën, angazhimi ynë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj do të jetë edhe më i fuqishëm, më dinamik dhe më i vendosur. Me guxim, dije, vendosmëri dhe integritet, do ta vazhdojmë angazhimin tonë për një Kosovë të drejtë, të zhvilluar, demokratike dhe prosperuese.”
Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrojnë, dhe përfshirja e figurave si Buzhala dhe Gashi shihet si përpjekje për të zgjeruar bazën si parti e vogel të Guxo-s.








