Haki Morina: VV po i dobëson opozitarët përmes propagandës së organizuar

Publicisti Haki Morina ka analizuar ndikimin e Lëvizjes Vetëvendosje mbi partitë opozitare, duke theksuar se pushteti aktual po përdor një strategji të sofistikuar propagandistike për t’i përçarë dhe dobësuar ato nga brenda.

Sipas Morinës, mënyra se si sulmohen figurat opozitare si Avdullah Hoti, Hikmete Bajrami apo Sami Lushtaku, tregon një prapavijë të mirëorganizuar politike, që ka për qëllim minimin e besueshmërisë së tyre tek elektorati.

“Lehtë është të kuptohet ndikimi i LVV-së tek partitë tjera. Shikoje fushatën kundër Abdullah Hotit dhe Hikmeta Bajramit, dhe e merr vesh këtë punë. Sulmet ndaj këtyre dy figurave të LDK-së, që ishin më të zëshmet kundër Qeverisë Kurti, bëhen kryesisht nga njerëz që janë me bindje të dyzuara mes LDK-së dhe VV-së, por shumica prej tyre janë pjesë të reparteve propaganduese të Albin Kurtit,” ka shkruar Morina.

Ai shton se edhe sulmet ndaj figurës së Sami Lushtakut, ish-komandantit të luftës dhe anëtarit të PDK-së, nuk janë për shkak të ndonjë gabimi apo akuze konkrete, por për shkak të ndikimit që ai ka në opinion dhe në bazën elektorale të partisë.

“Sulmet ndaj Lushtakut nuk ndodhin pse ai është i pashkollë apo për ndonjë arsye tjetër, por për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për ta figura karizmatike e tij si politikan dhe komandant i suksesshëm i luftës çlirimtare,” thekson ai.

Morina vlerëson se kjo strategji e Vetëvendosjes ka prodhuar efekte konkrete në terren, duke zbehur moralin dhe entuziazmin brenda radhëve të partive opozitare.

“Viktimë e këtij objektivi politik të pushtetit janë bërë edhe shumë anëtarë të ndershëm të këtyre dy partive opozitare, gjë që ka shkaktuar një zbehje të plotë të vullnetit dhe të entuziazmit brenda tyre,” shkruan ai.

Në përfundim të opinionit, Morina i bën thirrje qytetarëve dhe opozitës që të mos bien pre e kësaj propagande, duke theksuar se kundërshtari nuk sulmon individë pa vlerë, por pikërisht ata që kanë vlera.

“Kuptojeni këtë gjë përfundimisht, o popull opozitar. Bëhuni më të mençur, e mos bini në kurthet që ua përgatitin ata që duan t’ju vrasin shpresën, t’ju nënshtrojnë e t’ju gjunjëzojnë,” përfundon Haki Morina.

Postimi i plotë: