Haradinaj: Dubrava s’ka kate të mjaftueshme për të korruptuarit e LVV-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar me rastin e Ditës Botërore Kundër Korrupsionit, duke akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, se nuk ka përmbushur premtimet për luftimin e korrupsionit.

Në një postim në platformën sociale, Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo ditë po shënohet “në kulmin e korrupsionit” në Kosovë. Ai ka kujtuar se LVV erdhi në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por, sipas tij, pesë vjet më vonë askush nuk është përballur me drejtësinë për këto vepra.

Haradinaj ka shtuar se gjatë gjithë këtyre viteve “nuk ka kaluar asnjë ditë pa dalë ndonjë aferë korruptive”, duke theksuar se ato përfshijnë të gjitha fushat ku, siç pretendon ai, ka vepruar qeveria aktuale.

“Çdo ditë nga një dosje e re. Është e vërtetë që Dubrava nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar. Ju vjen dita”, ka deklaruar Haradinaj, duke theksuar se skandalet po shtohen ndërsa institucionet nuk po marrin masa efektive.