Kush është Gjenerali Feldmarshall Khalifa Belkasem Hifter që e ka ftuar në vizitë zyrtare në Libi, Sami Lushtakun

Sot është bërë publike vizita zyrtare që Gjenerali Feldmarshall Khalifa Belkasem Hifter i ka bërë ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, për një vizitë zyrtare në Libi.
Kjo ftesë ka zgjuar interes të madh publik, duke ngritur pyetje se kush është në të vërtetë kjo figurë ushtarake me ndikim në Afrikën Veriore, shkruan Teleshkronja Post.
Kush është Khalifa Belkasem Hifter?
Khalifa Belkasem Hifter (ose Haftar) është një nga figurat më të fuqishme ushtarake dhe politike në Libi. Ai është komandant i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA), që kontrollon pjesën lindore të vendit, me qendër në Benghazi. Me gradën më të lartë ushtarake në Libi – Feldmarshall – Hifter njihet si njeriu që ka luajtur rol vendimtar në luftën kundër grupeve islamiste dhe në stabilizimin e rajoneve lindore të vendit.
I lindur në vitin 1943 në qytetin Ajdabiya, Hifter u arsimua në Akademinë Ushtarake të Benghazit dhe ishte pjesë e rrethit të ngushtë të Muammar Gaddafit, gjatë grusht-shtetit të vitit 1969 që e solli atë në pushtet. Megjithatë, pas luftës me Çadin në vitet ’80, marrëdhëniet e tij me Gaddafin u prishën, dhe ai përfundoi në mërgim në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi për disa vite në Virginia.
Lexo edhe: Publikohen pamje| Me ‘privat jet’, Sami Lushtaku në Afrikë i shoqëruar nga biznesmenë
Pas rënies së regjimit të Gaddafit në vitin 2011, Hifter u rikthye në Libi dhe mori kontrollin e forcave ushtarake në lindje, duke krijuar Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila sot njihet si një nga forcat më të organizuara dhe të fuqishme në vend. Ai ka marrë mbështetje nga vende si Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia, ndërsa është kundërshtar i qeverisë së Tripolit që mbështetet nga Turqia.
Ftesa për Sami Lushtakun
Burime afër zyrës së Sami Lushtakut kanë bërë të ditur se ftesa nga Feldmarshall Hifter ka ardhur si pjesë e një iniciative për thellim të bashkëpunimit, që ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë, zhvillimit lokal.
Lushtaku, i cili njihet për rolin e tij në UÇK dhe më vonë në zhvillimin e komunës së Skenderajt, pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë në Benghazi dhe Tripoli për të diskutuar çështje që lidhen me bashkëpunimin mes institucioneve lokale, investimet ekonomike dhe ndërtimin e marrëdhënieve miqësore mes popujve.
Një figurë me ndikim dhe polemika
Haftar ka qenë një figurë shpesh e diskutueshme në politikën ndërkombëtare. Ndërsa disa e shohin si garant të stabilitetit në Libi, të tjerë e akuzojnë për kontroll autoritar dhe ndërhyrje ushtarake ndaj kundërshtarëve politikë. Megjithatë, ndikimi i tij në rajon është i pamohueshëm — dhe çdo kontakt me të shihet si një hap diplomatik me rëndësi strategjike./TeleshkronjaPost/
Lexo edhe: Djegia e Kuranit në Gjakovë, libri i shenjtë u gjet në mbeturina










