Lladrovci: Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, janë sinonim i luftës tonë të drejtë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me seancën në Hagë.
Lladrovci ka thënë se lirimi i katërshes së UÇK-së, është i vetmi vendim i drejtë.
Postimi:
Në Hagë, ka filluar paraqitja e fjalëve përfundimtare të palëve, ky është edhe fundi i një gjyqi sa të padrejtë, aq të pabesueshëm, i cili është nisur dhe është bazuar në prova të marra nga shteti gjenocidal, me akuza të fabrikuara, me dëshmitarë të pabesueshëm dhe jokredibilë, përkundër luftës tonë të drejtë, në pajtim me normat ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.
Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, janë sinonim i luftës tonë të drejtë, janë personifikim i të drejtës tonë për liri, janë drejtues dhe heronj tanë të luftës dhe paqes, strateg të shtetit dhe shtetësisë, prandaj, besoj fuqishëm se i vetmi vendim i drejtë është shpallja e pafajësisë së tyre.
Drejtësia në Hagë ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes është pjesë e pandashme nga themelet e shtetit tonë, e pandashme nga vlerat e aleancës tonë historike me NATO-n dhe SHBA-në dhe e drejta jonë për të qenë shtet demokratik, burim i paqes dhe sigurisë rajonale, brenda vlerave euro-atlantike.
Lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, andaj, i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!










