Manipulimi i votave: Kandidatëve u hiqen mijëra vota, thirrje për “rinumërim të plotë”

Ndërsa procesi i rinumërimit po avancon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve , kutitë e hapura po e ndërron realitetin nga ai i shënuar në formularët fillestarë: votat e disa kandidatëve po pësojnë “rënie të lirë”. Partia Demokratike e Kosovës prin bindshëm me kandidatët, të cilëve po u hiqen qindra e në raste mijëra vota që nuk ishin të tyret.

Deri pasditen e së shtunës (17 janar 2026), rinumërimi i pjesshëm ka konfirmuar keqpërdorime nëpër qendrat komunale të numërimit, ku pas hapjes së kutive, votat e kandidatëve kanë pësuar ndryshime drastike, kryesisht në minus.

Sipas njoftimit të fundit nga KQZ, që nga fillimi i procesit të martën e 13 janarit e deri në orën 16:00 të së shtunës, janë rinumëruar 382 nga 914 vendvotime të planifikuara.

Deri më tani, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, përfshirë Deçanin, Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Jugut, Podujevën dhe Prishtinën.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 382 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (109/235).”

Bazuar në të dhënat e procesuara deri më tani, disa nga kandidatët që kanë pësuar rëniet më të mëdha (zbritje të votave që u ishin shënuar gabimisht apo qëllimisht) janë: Fetah Paçarizi: -3,815, Nait Hasani: -2,058, Arianit Çollaku: -1,288, Enver Hoxhaj: -879, Xhavit Uka: -906, Xhavit Haliti: -629, Fadil Demaku -861 dhe Ejup Maqedonci: -197.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i ka cilësuar ndryshimet e dala nga rinumërimi si “substanciale”, duke shtuar se numri i madh i parregullsive buron kryesisht nga qendrat komunale të origjinës së kandidatëve.

“Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë.

Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese.”

Shiko videon rreth manipulimit të votave: