Mentor Mazrreku reagon ashpër ndaj PDK-së: “Partia ka humbur busullën, po duartroket ata që dje ishin kundër nesh”
Në një reagim të gjatë e të drejtpërdrejtë, ish-ushtari i Brigadës 12 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktualisht përfaqësues i PDK-së në diasporë, Mentor Mazrreku, ka shpërthyer në kritika ndaj strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës, duke i akuzuar për “logjikë të kundërt” dhe mungesë koherence politike.
Mazrreku ka vënë në pah paradoksin mes trajtimit të Eman Rrahmanit, ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje që së fundmi i është bashkuar PDK-së, dhe Fatmir Limajt, njërit prej themeluesve të partisë.
“Emani pranohet, përqafohet, duartrokitet. Fatmiri refuzohet, kritikohet, e bile kërkohet edhe llogari prej ‘tradhtari’. Kjo s’është parti politike — kjo është logjika e kundërt në formë spektakli,” – shkruan Mazrreku.
Sipas tij, PDK-ja po përjeton krizë të identitetit, duke harruar vlerat që e ndërtuan partinë në periudhën e pasluftës.
“Ai që e ka themelu PDK-në, sot shpallet problem për partinë e vet. Nëse s’ishte tragjike, do të ishte komike. Kur i humbë kompasi, edhe harta të duket armik,” shton ai.
Mazrreku ka shprehur dyshime edhe për stabilitetin e Eman Rrahmanit brenda PDK-së, duke aluduar se ky i fundit mund të largohet pas zgjedhjeve, ndërsa ka mbrojtur qëndrimin e Limajt si “të sinqertë dhe të bazuar në kontribut”.
“Fatmiri i duhet Kuvendit të Kosovës. Me u marrë me politikë duhet edhe të jesh i guximshëm në vendimmarrje,” ka theksuar ai.
Në fund, Mazrreku ka kritikuar lidershipin aktual të PDK-së për mungesë vendimesh të guximshme dhe për keqpërdorim të figurave historike të partisë si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke thënë se “partia është bërë rrëmujë”.
Reagimi i tij po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale dhe ka nxitur debat të ri brenda bazës së PDK-së, sidomos në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.








