Ndërron jetë babai i Salih Mustafës, Gjykata Speciale nuk i dha leje për ta takuar

Mëngjesin e së enjtës ka vdekur Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës.
Prej ditësh ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.Ndryshe Gjykata Speciale nuk i dha leje Mustafës për ta takuar.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët për Paparacin. Jahja Mustafa kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale nuk e lejoi të vinte në Kosovë për ta vizituar.
Madje, Organizata e Veteranëve të Luftës doli me reagim, duke theksuar se Calit iu refuzua kërkesa për vizitë.
Megjithatë, nga Gjykata Speciale nuk kanë dhënë asnjë konfirmim.
Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka theksuar se Ligji ia lejon Mustafës të bëjë kërkesë, por deri më tash nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që trajton pyetjen tuaj nëse është bërë një kërkesë”, thuhet në përgjigje.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte njoftuar se Salih Mustafës, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vite burgim, i është refuzuar kërkesa që ta vizitojë babanë që raportohet të jetë në gjendje kritike shëndetësore.
“Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”, tha OVL-UÇK në reagimin e saj.
Sipas kësaj organizate, Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për pasojë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor.
“Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda”, u tha më tutje.
“Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi”, u tha në reagimin e OVL-UÇK.










