Pas arrestimit të Maduros nga SHBA, reagon Albin Kurti

Pas arrestimit të presidentit venezuelas Nicolas Maduro në një operacion ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar duke shprehur mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për këtë aksion anti-narkotik.

Në një deklaratë zyrtare, Kurti theksoi se lufta kundër trafikimit të narkotikëve dhe mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal është thelbësore për garantimin e sigurisë ndërkombëtare dhe forcimin e vlerave demokratike.

“Kosova, si aleate strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, qëndron në krah të partnerëve tanë në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe çdo forme të cenimit të vlerave perëndimore”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se arrestimi i Maduron përbën një moment të rëndësishëm në përpjekjet globale për drejtësi, duke theksuar se asnjë lider nuk është mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo ndikimit të tij politik.

Kurti paralajmëroi gjithashtu se duhet rritur vëmendja ndaj aktorëve rajonalë, të cilët sipas tij, “vazhdimisht synojnë destabilizimin e rajonit përmes veprimeve hibride, kriminale dhe ushtarake, duke u bërë zgjatime (proxy) të kundërshtarëve të vlerave demokratike”.

Reagimi i Kurtit vjen në të njëjtën ditë kur mediat ndërkombëtare raportuan se Maduro është arrestuar nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, pas një hetimi të gjatë mbi përfshirjen e tij në trafik ndërkombëtar të narkotikëve.