Profesori Blerim Latifi: Shqipëria dhe Kosova në epokën e arsyeve shtetërore, interesi kombëtar mbi moralin

Analizë e zhvillimeve të fundit diplomatike dhe mesazhit politik të Blerim Latifit për sigurinë e hapësirës shqiptare.

Në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me përçarje të thella — nga lufta në Ukrainë e deri te tensionet në Lindjen e Mesme — veprimet diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës po marrin një kuptim të ri strategjik. Anëtarësimi në iniciativën amerikane “Board of Peace” dhe vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael po interpretohen si lëvizje të qarta që synojnë forcimin e lidhjeve me qendrën kryesore të fuqisë globale: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas filozofit dhe profesorit Blerim Latifi, këto veprime nuk janë gjeste simbolike, por akte të “arsyes shtetërore” — një koncept i vjetër që vendos interesin dhe sigurinë kombëtare mbi çdo konsideratë tjetër morale apo ideologjike. Ai argumenton se në politikën ndërkombëtare morali nuk zhduket, por gjithmonë filtrohet përmes interesit kombëtar. Shteti që e sakrifikon interesin në emër të moralit, përfundon duke humbur të dyja.

Në këtë kuptim, afrimi i Shqipërisë dhe Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe me Izraelin shihet si një strategji e domosdoshme për sigurinë dhe mbijetesën kombëtare në një botë që po kthehet sërish drejt rivaliteteve të mëdha. Europa, sipas Latifit, po tregohet e ngadaltë dhe e ndarë në vendimmarrje, ndërsa Rusia dhe aleatët e saj, përfshirë Serbinë, po ndjekin ambicie revanshiste. Në këtë kontekst, lidhja e drejtpërdrejtë me arkitekturën amerikane të sigurisë mbetet garancia e vetme për stabilitetin e hapësirës shqiptare në Ballkan.

Vizita e Edi Ramës në Izrael, nga ana tjetër, nuk duhet parë vetëm si një akt diplomatik apo si gjest simbolik solidariteti. Izraeli, përveçse një partner me përvojë të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë dhe sigurisë, përfaqëson një nyje strategjike ku ndërlidhen interesat e SHBA-së dhe të shumë fuqive perëndimore. Për një vend të vogël si Shqipëria, afrimi me Izraelin është investim në siguri, njohje dhe ndikim ndërkombëtar — pra një domosdoshmëri strategjike, jo zgjedhje ideologjike.

Megjithatë, këto zhvillime nuk kanë kaluar pa kritika. Zëra nga e majta liberale dhe qarqe islamiste e kanë quajtur afrimin me SHBA-në dhe Izraelin si “rreshtim të njëanshëm” dhe “cenim të ndjeshmërive morale”. Latifi i kundërpërgjigjet duke thënë se këto qasje janë naive, sepse nuk e kuptojnë natyrën e vërtetë të politikës ndërkombëtare, ku mbijetesa e shtetit është ligji më i lartë. Ai e përmbyll me një paralajmërim të qartë: për shqiptarët, universalizmi moral është luks i papërballueshëm — ndërsa pozicionimi proamerikan dhe aleancat reale janë kusht për mbijetesë.

Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, ku rendi liberal pas Luftës së Ftohtë po shembet, politika e jashtme e shqiptarëve po duket se po gjen busullën e saj tek realizmi strategjik. Dhe siç përmbyll Latifi: çdo opsion tjetër është rrugë e sigurt drejt theqafjes kombëtare — një gabim që historia shqiptare e ka paguar shumë herë.

Postimi i plotë:

Tashmë po kuptohet qartë: koha në të cilën po jetojmë karakterizohet nga një çarje rrënjësore e rendit ndërkombëtar liberal që u konsolidua pas Luftës së Ftohtë. Lufta e tejzgjatur në Ukrainë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rivaliteti strategjik SHBA–Kinë dhe dobësimi i institucioneve multilaterale kanë rikthyer në qendër të politikës botërore një parim të vjetër, por kurrë të tejkaluar: interesi kombëtar êshtë ligji më i lartë i shtetit. Në këtë kontekst, veprimet diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, konkretisht anëtarësimi në Bordin e Paqes të iniciuar nga presidenti Donald Trump dhe vizita domethënëse e kryeministrit Edi Rama në Izrael, përbëjnë akte të qarta të asaj që qysh nga Rishëlje quhet “arsye shtetërore” Në historinë e filozofisë politike që nga Tukididi e Ciceroni në antikitet, e deri te realizmi modern i Thomas Hobsit e Hans Morgenthaut, siguria dhe mbijetesa e shtetit janë prioritet absolut. Aleancat, vlerat dhe diskurset morale nuk janë qëllime në vetvete, por mjete që burojnë nga ky prioritet. Shtetet e vogla, më shumë se kushdo tjetër, janë të detyruara ta kuptojnë këtë ligj të hekurt të politikës ndërkombëtare. Pra anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk duhet lexuar si një gjest simbolik. Ai duhet kuptuar si një akt i domosdoshëm i lidhjes me qendrën kryesore të fuqisë globale: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një kohë kur Europa është bllokuar nga hezitimi strategjik e ndarjet e brendshe politike, ndërsa Rusia dhe aleatët e saj, si Serbia, kërkojnë revanshizëm historik, lidhja direkte me arkitekturën amerikane të sigurisë mbetet garancia e parë dhe e fundit për sigurinë e hapësirës shqiptare në Ballkan. Në të njëjtën linjë duhet kuptuar edhe vizita e Edi Ramës në Izrael. Izraeli nuk është thjesht një shtet në një konflikt që duket se nuk merr fund kurrë. Ai është një nyje strategjike ku ndërlidhen interesat e SHBA-së, teknologjia e avancuar ushtarake, inteligjenca globale dhe diplomacia e fortë. Afrimi me Izraelin është, në thelb, një investim në siguri, njohje dhe ndikim ndërkombëtar. Pra për një shtet të vogël, kjo nuk është zgjedhje ideologjike, por domosdoshmëri strategjike. Kritikat e lluzerave majtistë e injorantëve islamistë se këto veprime “cenojnë ndjeshmërinë morale” ose “rreshtojnë shqiptarët në mënyrë të njëanshme” kanë një të metë thelbësore: ato e keqkuptojnë natyrën e politikës ndërkombëtare. Morali, në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk zhduket, por gjithmonë filtrohet përmes interesit. Siç do të thoshte Morgenthau, shteti që sakrifikon interesin kombëtar në emër të një morali abstrakt, përfundon duke i humbur të dyja. Për shqiptarët, të ndarë në dy shtete të vogla e të brishta, dhe të rrethuar nga një histori e gjatë e pasigurive gjeopolitike, universalizmi moral êshtë luks i papërballueshëm. Pozicionimi dhe besnikëria proamerikane dhe investimi në aleanca reale janë kusht vendimtar për mbijetesën e tyre në anarkinë ndërkombëtare që po troket në dyert e botës. Çdo opcion tjetër êshtë rrugë e sigurtë drejt theqafjes kombëtare, të cilën shpesh e kemi përjetu gjatë historisë.