Në një skenë që ngjante më shumë me një garë me kohën sesa me një proces politik të planifikuar, Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi listën e saj të kandidatëve për deputetë në minutat e fundit të afatit ligjor në KQZ.
Ky veprim, përveç se tërhoqi vëmendje mediatike, ngriti një sërë pyetjesh për gjendjen e brendshme të partisë që për vite me radhë është prezantuar si model i disiplinës dhe organizimit.
Sipas burimeve të Teleshkronja Post, vonesa nuk ishte çështje teknike, por pasojë e përplasjeve të brendshme për përbërjen e listës — veçanërisht për balancën midis figurave të vjetra dhe emrave të rinj që kërkojnë hapësirë politike. Disa kandidatë të mundshëm mësohet se janë larguar në momentet e fundit, ndërsa të tjerë janë shtuar pas ndërhyrjeve nga qendra e partisë.
Një tjetër arsye e përfolur është mungesa e konsensusit për renditjen e kandidatëve, e cila mbetet një çështje tejet e ndjeshme në çdo parti politike, por në rastin e Vetëvendosjes – që promovon transparencën – kjo vonesë lë hije dyshimi.
Ndërkohë, asnjë zyrtar i lartë i Vetëvendosjes nuk ka dhënë sqarim publik pse partia u vonua deri në sekondat e fundit, ndonëse subjektet tjera e kishin përmbyllur këtë proces me kohë. Ky heshtje, për shumë analistë politikë, është sinjal i tensioneve të brendshme dhe mungesës së koordinimit në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Publiku dhe anëtarësia e Vetëvendosjes, që dikur krenohej me efikasitetin dhe “shembullin e ndershmërisë organizative”, tash po kërkon përgjigje:
– A është kjo vonesë thjesht një lëshim teknik, apo tregues i një lodhjeje të brendshme politike?
– Dhe a po përpiqet Vetëvendosje të fshehë mosmarrëveshje që po thellohen brenda strukturës së saj?








