Skandali me vota në Prizren, prokuroria paralajmëron masa ndaj “grupit të dytë”

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka nisur hetime të zgjeruara lidhur me dyshimet për parregullsi në procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, dhe kanë të bëjnë me grupin e dytë të personave të dyshuar në këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.










