Vetëvendosje e çon Kosovën drejt bllokadës së re: KQZ nuk miraton shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Listën Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka miratuar sot shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Listën Serbe, pasi dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kundërshtuar vendimin.
Ky zhvillim pritet të shtyjë publikimin zyrtar të rezultateve, ndërsa tensionet politike rreth përfaqësimit të serbëve në institucionet lokale po mbeten të ndjeshme.
Në një votim të ndarë për subjektet tjera politike, Listën Serbe dhe KDTP, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për miratimin e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit për subjektet e tjera dhe KDTP, por jo edhe për Listën Serbe.
Për partinë më të madhe serbe në Kosovë pati tre vota për, dy kundër dhe tetë abstenime. Përfaësuesit e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ishin ata që votuan për, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi nga VV votuan kundër e përfaqësuesit tjerë asbtenuan.
Radoniqi është shprehur i pakënaqur me mos-votimin e rezultatit për Listën Serbe, duke u thënë përfaqësuesve “s’ka kuptim, më falni, veç s’ka kuptim kjo punë”.
Kjo për shkak të ankesave që ky subjekt mund të paraqes në afatin prej 48 orësh tek organet relevante, gjë që do ta zvarrisë procesin e shpalljes së rezultatit përfundimtar.
Subjektet dhe kandidatët e pakënaqur do të kenë mundësinë e ankesës në afat prej 48 orësh, nga ora 11:00 e kësaj të shtune deri në ora 11:00 të hënën.
Refuzimi për miratimin e shpalljes së rezultatit për Listën Serbe nuk është hapi i parë që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë ndërmarrë në KQZ. Lista Serbe disa herë nuk është certifikuar edhe për pjesëmarrje në zgjedhje, vendime që më pas janë hedhur poshtë nga Gjykata Supreme.










