Vuçiq: Me tërheqjen e dhëndrit të Trump, Serbia humbi 750 milionë euro investime

“Dëm i madh iu bë Serbisë”, tha presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, pas lajmit se kompania e Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump – po tërhiqej nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.

Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.

Vuçiq tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.

“E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiq, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.

“Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike – e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, shtoi Vuçiq.

Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm.

Njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor – në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas gazetës Wall Street Journal.

Vuçiq fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” – siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.

“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.

Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.

Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt.

“Kurrë nuk ka pasur korrupsion, e as nuk ka qenë qëllimi i tij”, tha Vuçiq.

Kompania e Kushnerit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, pas lajmit për tërheqjen e saj.

Dyshimet për falsifikim dokumentesh në qendër të hetimeve për Shtabin e Përgjithshëm

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, sipas prokurorisë, ka pranuar tashmë falsifikimin e dokumentacionit.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Pas lajmit se kundër tij është ngritur aktakuzë, Sellakoviq tha se “po e priste me padurim gjyqin, sepse ai do të shënojë fundin e bllokuesve”.

Termi “bllokues” përdoret nga përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi për të përshkruar pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024.

Vuçiq tha më 11 dhjetor se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Për Edward P. Josephin, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, lajmi për tërheqjen e Kushnerit nuk është befasi.

“Përpjekjet e Qeverisë së Vuçiqit për të marrë pronën, ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për ta hequr nga regjistri i pronave të mbrojtura kulturore dhe monumenteve, shpërthyen në një skandal. Pra, asgjë nga kjo nuk më habit”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se e ngriti këtë çështje edhe në Nënkomisionin për Evropën të Komitetit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, më 2 dhjetor.

“Në deklaratën time hapëse dhe më pas në përgjigjet ndaj pyetjeve të anëtarëve të Kongresit, theksova se presidenti Vuçiq nuk do të ishte në gjendje t’i përmbushte angazhimet për hotelin. Theksova kundërshtimin e fuqishëm për ndërtimin e këtij hoteli nga i gjithë spektri politik”, thotë Joseph.

Kushner u angazhua në negociata për më shumë se dy vjet. Kontrata fillestare u nënshkrua në maj të vitit 2024. Nënshkrues nga ana e Serbisë ishte Goran Vesiq, ish-ministër i Ndërtimit, Trafikut dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë.

Në kontratë thuhej se Serbia është e detyruar të heqë statusin e trashëgimisë kulturore nga kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e Kushnerit, të përfundojë shembjen e ndërtesave, gjithashtu “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e dhëndrit të Trumpit, dhe toka ku ndodhet kompleksi, të jepet me qira pa pagesë për 99 vjet, me opsionin e pronësisë falas./REL/

Kompleksi që planifikohej të ndërtohej nga kompania e Kushnerit në Beograd