VV kundër amandamentit për rindërtimin e xhamisë afër Ibrit

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka mbështetur amandamentin e deputetit Eman Rrahmani, i cili kërkonte përfshirjen e mjeteve për rindërtimin e xhamisë afër lumit Ibër. Me shumicë votash kundër nga pozita, propozimi është rrëzuar.
Amandamenti i Rrahmanit kishte për qëllim të sigurojë fonde për rindërtimin e objektit fetar që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për komunitetin lokal.
Ai theksoi se kërkesa ishte bërë në bashkëpunim me qytetarët e zonës dhe se projekti kishte karakter të paanshëm fetar, duke synuar ruajtjen e trashëgimisë, shkruan TeleshkronjaPost.
Megjithatë, deputetët e shumicës qeverisëse nga VV-ja nuk e mbështetën këtë nismë. Sipas burimeve nga seanca, pushteti e ka konsideruar të papërshtatshme ndërhyrjen përmes amandamentit buxhetor, duke argumentuar se këto çështje duhen trajtuar përmes procedurave të rregullta të Ministrisë së Kulturës.
Votimi i mbajtur pas diskutimit rezultoi me shumicë kundër, çka bëri që amandamenti të mos kalojë. Kjo solli reagime të menjëhershme nga disa deputetë të opozitës, të cilët e cilësuan vendimin si “mungesë vullneti politik për të respektuar trashëgiminë kulturore dhe fetare”.










