Premtoi 160, s’i realizoi as gjysmën | Kurti zotohet se “do të shtohet numri i çerdheve”

Kandidati për kryeministër Albin Kurti, gjatë një tubimi zgjedhor në Gjakovë, ka premtuar sërish rritjen e numrit të çerdheve në Kosovë.

Në fjalimin e tij para mbështetësve, Kurti tha se shtimi i çerdheve është i nevojshëm për t’iu mundësuar grave të jenë pjesë e tregut të punës.

Ai deklaroi se mungesa e çerdheve paraqet pengesë për shumë nëna që duan të punojnë dhe të angazhohen profesionalisht.

“Do ta shtojmë numrin e çerdheve, sepse që të punojnë gratë, ato do të duhet që të kenë çerdhe t’i dërgojnë fëmijët”, u shpreh Kurti gjatë tubimit.

Premtimi për çerdhet ishte bërë edhe më herët nga qeveria e tij, e cila kishte zotuar ndërtimin e 160 çerdheve në nivel vendi, projekt që deri më tani nuk është realizuar as përgjysmë.