Analisti: “Kurti ka manipulu me vdekje të aktivistit të vet”

Opinionistët e emisionit Rubikon në Klan Kosova, kanë komentuar zhvillimet e fundit në garën politike për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 7 qershorit.

Labinot Balaj, tha se shkuarja e Vjosa Osmanit në LDK, e afekton votën e LVV-së, në rentabilitet të LDK-së.

“E kemi stërthënë që fakti që sot Vjosa është në një parti tjetër, kjo e afekton rezultatin e partisë së parë (LVV-së). Ato vota që kthehen në LDK nga LVV, kuptohet që janë në kurriz të LVV-së”, deklaroi Balaj.

Dardan Sejdiu, nga ana e tij, foli për Ligjin mbi shtetësinë, i cili u miratua pak ditë më parë.

Sipas tij, 200 mijë serbë kanë me e marrë shtetësinë e Kosovës.

“Është mirë me ju tregu njerëzve që 200 mijë serbë do t’i marrin letrat. Ata votojnë pasi t’i marrin letrat. Dhe me sa e di, ata i kanë vendet e rezervuara, por nëse votojnë më shumë, atëherë ata marrin më shumë vende”, tha Sejdiu.

Gazetari Vehbi Kajtazi foli për modelin e qeverisjes së Kurtit. Ai thotë se ky model është “ai i WhatsApp-it të Rozeta Hajdarit, nuk i respekton ligjet”.

“Cili është modeli i qeverisjes së zotzit Kurti? Është ky i WhatsAppit të ministres Rozeta Hajdari. Ai model na tregon se zoti Kurti nuk e respekton shtetin e Kosovës, nuk i respekton ligjet e Republikës, se zoti Kurti me kolegë e bashkëpunëtorë nuk njeh procedura të rregullta, por preferon në këtë mënyrë me vjedh”, u shpreh ai.

Azdren Shala, nga ana e tij, ka thënë se e çudisin ata njerëz që çuditen me të. Ai përmendi edhe rastin e fëmijës që reciton në një tubim të tij në Vushtrri.

“Është në natyrën e tij, i cili si politikan, për të mbërritur qëllimin e tij, nuk kursen mjete. Ai kalkulon, sepse dënimi [i shfrytëzimit të fëmijëve për fushatë] është më i vogël se përfitimi”.

“Ky ka manipuluar me vdekjen e aktivistit të vet. Nuk kursen mjete. Nuk çuditem unë”, deklaroi Shala.

Dukagjin Gorani komentoi deklaratën e Kurtit i cili tha se “nuk është e jashtëzakonshme që një pushtet të përzihet në tjetrin”.

“Prokuroria është domen i cili emërohet prej shtetit, mirëpo prokuroria nuk e vendosë drejtësinë. Unë jurist nuk jam, por shteti në kontekstin e drejtësisë do të duhej të kufizohej vetëm në përpjekjet për t’i përndjekur kriminelëve, meqenëse përndjekja e kriminelëve bëhet prej levave të cilat i siguron shteti”, theksoi Gorani.